I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se qëndrimi i ShBA-së sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është se s’duhet të jetë shtet brenda shtetit.

Megjithatë, Escobar tha se shefi i diplomacisë amerikane, Antony Blinken u ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani në takimin që ka pasur në Departamentin e Shtetit se duhet të nisë diskutimi për Asociacionin, transmeton Gazeta Express.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari [amerikan i Shtetit, Antony]Blinken u tha presidentes [Vjosa Osmani] dhe [Albin Kurti] kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet të nisim diskutimin për Asociacionin”, tha ai.

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, Escobar tha se qëndrimi i SHBA-së është që të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por tha se duhet të ketë diskutim për çështjen e Asociacionit, që të mos bie ndesh me ligjet.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet. Megjithatë, Asociacioni nuk duhet të ndërhyjë, nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojmë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve, dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të zbatuar Asociacionin. Prandaj, kam shpresë se mund t’i diskutojmë këto në Bruksel më vonë gjatë këtij muaji”, shtoi ai.