Lokale - eSIMy

Pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të prekur me koronavirus.

Kështu ka bërë të ditur në emisionin Frontal në T7, drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Ai ka bërë të ditur se gjendja e tyre është stabile, e se të njëjtit janë duke u trajtuar.

“Po veç është bërë e ditur se në kuadër të policisë kemi 5 kolegë të infektuar me koronavirus. Gjendja e tyre është stabile mirëpo janë duke u trajtuar”, ka thënë ai.

Qalaj shton se policët e prekur me koronavirus janë tre nga komunat veriore, një nga Malisheva dhe një nga Prishtina.

Ai ka bërë të ditur se ka disa pjestarë të policisë që pas kontakteve janë detyruar që të qëndrojnë në vetizolim.

Drejtori i Policisë ka deklaruar se momentalisht kanë mjetet mbrojtëse që ju duhen për punën në terren e se janë duke punuar me orarin 12 orësh.

“Në fillim s’kemi qenë shumë të furnizuar, por gradualisht jemi përgatitur dhe policët tanë kanë mjete mbrojtëse të mjaftueshme.

Ne kemi kaluar në orarin 12 orësh për shkak të angazhimeve të shtuara, kemi disa komuna që janë në karantinë dhe angazhimi i policisë është shumë i madh”, deklaroi Qalaj.