Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj thotë se askush nuk e dinë se sa do të jetë jetëgjatësia e këtyre targave, marrëveshja e të cilave u arritë dje në Bruksel.

Në një intervistë për Gazeta Blic, Qalaj ka kritikuar kryeministrin Kurti për mungesë të transparencës në lidhje me situatën e fundit në veri të Kosovës.

“Sa do të jetë jetëgjatësia e targave nuk e dinë askush, ashtu siç nuk është në dijeni askush se çka u bisedua dhe cili është qëllimi i marrëveshjes. Sipas informatave, prap do të ketë takim mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel”, tha Qalaj.

Duke marrë parasysh deklaratat e Kurtit për heqjen e të gjitha targave “KM” nga Kosova dhe tash arritja e marrëveshjes për të njejtën çështje, Qalaj thotë se nuk është asgjë për t’u habitur, pasi sipas tij Kurti gjithmonë bie ndesh me qëndrimet e tij sa ishte opozitë.

Qalaj e ka quajtur Kurtin të paaftë, teksa kërkon që sa më shpejt të largohet nga pushteti.“Nuk është asgjë e re që Kurti po ndryshon fjalët dhe qëndrimet dhe mua nuk më habit fare asnjë veprim i kryeministrit, që realisht po bie ndesh me qëndrimet e tij në të kaluarën, ai është një lojtar i ri në politikë dhe e ka pa se është e vështirë të udhëhiqet vendi, ata janë në praktikë e cila po zgjat afro dy viteve. Unë mendoj se është koha që z.Kurti të shkojë në shtëpi, sa më shpejt që është e mundur sepse është i paaftë në qeverisjen e këtij vendi”, tha Qalaj për Gazeta Blic.