Nesër Podujeva shënon 21-vjetorin e Ditës së Çlirimit nga pushtuesi serb, njofton Llapi.info.
Në nder të kësaj dite, në fshatin Revuçë të Podujevës do të zbulohet një monument afër shpatës së Skënderbeut, e cila është vendosur muaj më parë në po këtë fshat.
Ashtu siç e ka ndërtuar shpatën e heroit Skënderbeut, edhe pushka e lirisë është ndërtuar nga aktori Bedri Kadriu. Ai thotë se ka nisur ndërtimin e këtij monumenti para rreth katër javëve, ndërsa është i gatshëm të zbulohet nesër në Ditën e Çlirimit.
Kadriu ka deklaruar se pushka e lirisë është vendosur në fshatin Revuçë, pikërisht në vendin ku është vendosur edhe shpata e Skënderbeut.
“Në këtë vend ku është vendosur këtu, është pjesë historike e luftës së fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ka ndodhë këtu. Jo qëllimisht ka ndodhë kjo vendosje e trekëndëshit të shpatës dhe pushkës, sepse është pjesë e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë Kadriu.
Ky monument i lirisë do të zbulohet nesër në Ditën e Çlirimit të Podujevës, në një ceremoni të organizuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së./Llapi.info
