Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, në një konferencë të përbashkët me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kanë thënë se kanë bërë disa ndryshime në projektin e rrugës nacionale Podujevë-Prishtinë, raporton Llapi.info.
Durmishi ka thënë se ekipet profesionale të Ministrisë së Infrastrukturës pas analizave të bëra, sipas tij, kanë ardhur në përfundim që të ndryshohen disa faza. Ai ka thënë se janë hequr nënkalimet që kanë qenë të parapara të ndërtohen dhe të njëjtat, sipas Durmishit, do të zëvendësohen me rrethrrotullime.
“Jemi bashkë me kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, për të prezantuar se çka po ndodhë me projektin e rrugës Prishtinë – Podujevë. Punimet janë zvarritur për një kohë të gjatë. Pas një analize të cilit i është bërë projektit nga ekipet profesionale të Ministrisë, kemi parë se në këtë rrugë kanë qenë të parapara disa nënkalime për automjete, por nuk kanë qenë të kontraktuara dhe të shpronësuara. Ne kemi formuar një komision, i cili ka analizuar krejt projektin dhe kontratën dhe kanë ardhur në përfundim të ndryshimeve që duhen të bëhen në kuadër të këtij projekti, në mënyrë që projekti të përfundojë në periudhë më të shkurtër kohore. Nënkalimet që kanë qenë të parapara janë hequr dhe janë zëvendësuar me rrethrrotullime. Është shtuar edhe një rrethrrotullim shtesë në këtë rrugë, për shkak se parashihet të ndërtohet edhe autostrada Besi-Merdare”, është shprehur Durmishi.
Më tej, Durmishi ka thënë se këto punime kanë qënë të planifikuara të përfundojnë pas dy vitesh, por të njëjtat, siç ka thënë ai, do të kryhen në fund të nëntorit.
“Janë bërë edhe disa ndryshime, si ndërtimi i urës, mbrojtëset dhe këto do të kryhen brenda kontratës. Kemi bërë edhe një plan të ri dinamik për zhvillimin e punimeve. Deri në fund të tetorit do të përfundojnë shumica e punëve këtu, si ndërtimi i urës dhe dy shtresat me asfalt. Gjatë nëntorit do të punohet në përfundimin e mureve mbrojtëse dhe shtresa e fundit e asfaltit. Ky segment i rrugës me 4.2 kilometra në fund të nëntorit do të jetë e përfunduar në tërësi”, ka thënë Durmishi.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se nevoja për të rritur dinamikën e punimeve në këtë rrugë është e domosdoshme, për shkak të frekuentimit të madh të automjeteve.
“Në këtë rrugë që janë zhagitur punimet. Nga ky takim i sotit dhe takimet tjera, kemi një proces të rritur të punimeve që të kryhet ky segment gjatë këtij viti. Pjesa tjetër në bashkëpunim me MI do të vazhdojnë punimet, por me intensitet më të larë. Kjo rrugë është më e ngarkuar dhe duhet të intensifikohen punimet. Projekti ka nisur pa një fizibilitet siç duhet. Kemi pasur ngecje të shpronësimeve dhe projektin në tërësi. Jemi marrë vesh me MI që të shkohet me rrethrrotullime, të cilat do të përshpejtojnë këtë projekt dhe të përmbyllet. Qeveria jonë së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës do t’i azhurojnë të gjitha punët që procesi të mbyllet sa më shpejtë, pasi numri i automjeteve në këtë rrugë është i madh”, është shprehur Bulliqi.
Punimet në këtë magjistrale kanë nisur në vitin 2016, kur ministër i Infrastrukturës në ato kohë ka qenë Lutfi Zharku, ndërkohë që të njëjtat ende s’janë përfunduar./Llapi.info






