Lokale - eSIMy

Gjakovë – Kadrush Rexhepi, personi përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në punë në kompaninë “Euro Abi” Sh.p.k, është dënuar me 6 muaj burgim, për rastin ku punëtori i kompanisë në fjalë, i dëmtuari Mentor Ramadani, kishte rënë nga 8.49 metra lartësi. Dënimi me burg, të akuzuarit do t’i zëvendësohet me gjobë.

Aktgjykimi ndaj Rexhepit u shpall të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, nga gjykatësja Ilirjana Hoti-Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari u dënua me 6 muaj burgim për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Por, me pëlqimin e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhepi, avokatit Teki Bokshi, dënimi me burgim të akuzuarit do t’i zëvendësohet në dënim me gjobë.

Sipas gjykatëses Hoti, shumën e dënimit me gjobë palët do ta marrin vesh me aktgjykimin në formë të shkruar, pasi që i duhet kohë të vendos për këtë.

Pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Ndryshe, gjykatësja Hoti tha se sipas detyrës zyrtare ka bërë edhe rikualifikimin e veprës penale, nga neni 367, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 dhe 2, në veprën penale nga neni 367, paragrafi 5 lidhur me nenin 3 dhe 2 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës së precizuar të Prokurorisë Themelore në Prizren, Kadrush Rexhepi akuzohej se më 10 nëntor 2016, në rrugën “Nënë Tereza” në Gjakovë, respektivisht në vendpunishten e kompanisë “Jatex”, si person përgjegjës për siguri dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës, e shkel Ligjin për sigurinë dhe shëndetin në punë.

Aktakuza thotë se pasi që paraprakisht kompania e të akuzuarit “Euro Abi” Sh.p.k, kishte lidhur marrëveshje me kompaninë “Armatex” Sh.p.k, më 5 tetor 2016, me qëllim që kompania e të akuzuarit të marrë përsipër mbulimin e kulmit të objektit të kompanisë “Armatex” Sh.p.k, i akuzuari nuk i siguron pajisjet mbrojtëse në vendin e punës dhe me këtë e rrezikon jetën e njerëzve.

Tutje sipas aktakuzës, gjersa i dëmtuari Mentor Ramadani, punëtori i kompanisë “Euro Abi”, i cili ishte duke bartur një panel-llaster të izoluar për mbulimin e kulmit, në një largësi prej 20m, me peshë rreth 200 kg, gjerësi 70 cm, trashësi 10 cm, gjatësi mbi 8 m, pa pajisje mbrojtëse duke ecur në një hekur me gjerësi prej 50 cm, pasi e humb drejtpeshimin rrëshqet duke rënë në tokë nga një lartë prej 8.49 metra, me ç’rast pëson lëndime të rënda trupore të konstatuara nga ekspertiza e Dr. Naim Halitit.

Me këto veprime, Rexhepi akuzohej se ka kryer veprën penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragrafi 4-3-2 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.