Lokale - eSIMy

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës pas një vizite që ka bërë shumë qendra të mjekësisë familjare në Prishtinë dhe në objektet e Ministrive të Qeverisë së Kosovës, ku punëtorët teknikë po bëjnë pastrimin e këtyre objekteve, ka kërcënuar me ndërprerje të punës së këtyre punëtorëve për shkak të mungesës së pajisjeve ndaj koronavirusit.

Në një komunikatë për media, Sindikata thotë se këta punëtorë janë lënë në mëshirën e Zotit.

SPSPK gjithashtu tha se njerëzit e parë që mund të preken nga koronavirusi, janë kjo kategori e punëtorëve dhe zyrtarisht këta punëtorë nuk kanë pranuar asnjë maskë apo ndonjë pajisje mbrojtëse kundër kësaj sëmundje.

“Kishte punëtorë që në mënyrë solidare nga stafi i qendrave te mjekësisë familjare iu ishin dhuruar punëtorëve aty e këtu ndonjë pajisje, derisa te punëtorët e pastrimit nëpër objektet e disa ministrive thonë se nuk bënë të jepen pajisjet e kërkuara pasi që po krijohet panik , d.m.th. luhet me shëndetin e punëtorëve për të mos hapur panik apo me mirë të themi rreziko shëndetin tënd , për të mos bërë panik të njerëzit tjerë të shëndoshë”.

“Nëse deri nesër datë 14.03.2020 ne ora 8:00 nuk pajisën këta punëtorë me pajisë adekuate ne do t’i thërrasim kryetarët e shoqatave dhe do të vendosim për ta ndërprerë punën. Qeveria për këto gjëra ka ndarë 10 milion euro, ne të kujt jemi pyesin punëtorët”