Teksa po afrojnë festat e fundvitit, kompanitë që merren me shitjen e artikujve ushqimorë po përballen me fluks jo të zakonshëm të njerëzve.

Të njëjtat, në nevojë për punëtorë për përballimin e këtij fluksi, po i shfrytëzojnë ata edhe jashtë orarit të punës, si dhe gjatë ditëve të pushimit, shkruan lajmi.net.

Një lexues i lajmi.net, ka dërguar në redaksi orarin të cilin ai pretendon se e ka vendosur kompania “Viva Fresh”, dhe ku shihet se punëtorët po detyrohen të punojnë me nga 10, 11 e 12 orë ditëve të fundit të vitit.

Për të njëjtat ditë, D.E, ankohet se kompania nuk do t’i japë asnjërit punëtor pagesë shtesë, ani pse, një gjë e tillë sipas tij parashikohet në kontratë.

“Orari në Viva Fresh Store, pa pagesë dhe pa pushim. Kurse në kontratë shkruan me pagesë. Kjo është një maltretim”, ka shkruar ai në adresë të lajmi.net.

Se kompanitë private po i “sakatojnë” punëtorët e tyre për festat e fundvitit, po e thotë edhe kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në Sektorin Privat, Jusuf Azemi.

Ai për lajmi.net thotë se gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë ankesa nga punëtorët.

Azemi sqaron edhe rastin e “Viva Fresh”, për të cilin thotë se janë pajtuar që të ketë takime, ku do të tentohet të gjindet një zgjidhje.

 

“Ankesa kemi pasur sidomos për këtë kompaninë “Viva Fresh”, me të cilën ne kemi shkuar direkt dhe kemi biseduar me menaxherët e kompanive. Ata kanë kërkuar nga ne që të nesërmen të takohemi por nuk kemi pasur kohë, dhe decidivisht jemi pajtu që të takohemi pas vitit të ri, dhe gjithçka çka është e realizueshme të realizohet”, ka thënë ai.

“Tek Viva Freshi, jemi pajtuar që të kemi një takim me ta, dhe jemi duke e përfundu procesin e analizimit të marrëveshjeve kolektive dhe obligimeve të tjera dhe do të ulemi menjëherë për analizimin e kërkesave”, ka thënë Azemi.

Ai po ashtu tregon edhe për raste të tjera, për të cilat thotë se punëtorë të kompanive të ndryshme kanë shkuar fshehurazi në sindikatë dhe kanë kërkuar realizimin e kërkesave të tyre.

Megjithatë, sipas tij duhet të rishikohet edhe një herë gjendja në terren.

Lajmi.net gjatë ditës së sotme ka kërkuar një përgjigje edhe nga kompania “Viva Fresh”, mirëpo deri më tani nuk ka marrë ndonjë përgjigje.