Data 1 prill e këtij viti ishte fatale për Zana Gjevukajn nga Peja. 26-vjeçarja u godit nga një veturë në fshatin Qyshk të Pejës. Për më shumë se një muaj, qëndroi në gjendje të rëndë shëndetësore në spital, e më pas ndërroi jetë. I dyshuari që e shkaktoi aksidentin ishte A.K, zyrtar policor. Dy muaj pas ngjarjes tragjike, familja Gjevukaj me një deklaratë dërguar Nacionales, kanë shprehur shqetësimin e tyre për mënyrën se si rasti po trajtohet në institucionet e drejtësisë.
Shkaktari i aksidentit, pra zyrtari policor, nuk ka qëndruar asnjë ditë në paraburgim. Prej prillit, ai, me kërkesë të Prokurorisë, është në arrest shtëpiak. Edhe pas vdekjes së Zana Gjevukajt.
Nacionale i ka siguruar dhe publikuar edhe pamjet e aksidentit, të cilat për shkak se janë tejet të rënda, janë të mbuluara.
Në video, shihet se Zana Gjevukaj po kalonte rrugën në zebra. Njëra veturë ndalet për t’i dhënë përparësi Zanës. Në momentin që ajo niset për ta kaluar rrugën, vetura e drejtuar nga polici e godet me fuqi të madhe duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse.
Në zonën ku ndodhi aksidenti, shpejtësia e lejuar është 60 në orë, përderisa shkaktari i aksidentit po voziste me shpejtësi gati 90km/h.