Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka publikuar raportin, ku pasqyrohen të gjeturat e nivelit të transparencës nëpër institucione komunale, shkruan Llapi.info.

Sipas këtij raporti, i cili vlen për periudhën janar – qershor, 2022, Komuna e Podujevës ka shënuar rritje për transparencë dhe llogaridhënie.

Në raport thuhet se Podujeva radhitet në top-peshën e parë me 77 pikë, aq sa kanë edhe Lipjani, Peja dhe Prishtina. Njëherësh, ky është rezultati më i mirë që ka pasur Podujeva.

 

“Bazuar në të gjeturat gjatë kësaj periudhe, komunat me nivelin më të lartë në përmbushjen e indikatorëve vlerësues janë: komuna e Rahovecit  me 83 pikë apo 94.32%, komuna e Gjakovës me 80 pikë apo 90.9%, komuna e Kamenicës dhe ajo e Mitrovicës së Jugut me nga 78 pikë apo 88.63%, komuna e Lipjanit, Pejës, Podujevës dhe Prishtinës me nga 77 pikë apo 87.5%, komuna e Drenasit, Kaçanikut si dhe Prizrenit me nga 76 pikë apo 86.36%”, thuhet në njoftimin e KDI-së.

Në raport bëhet e ditur se në periudhën e njëjtë (vitit 2021), Podujeva është rritur për 9 pikë më shumë.

Ky fakt, siç duket ka gëzuar nënkryetaren e Komunë së Podujevës, Marigona Lahu.

“Ku ka punë, ka rezultate. Podujeva ndër 10 komunat më transparente për 6-mujorin e parë të vitit 2022”, ka shkruar ajo në Facebook.

Duhet theksuar se vite më parë, Podujeva radhitej thuajse në fund për transparencë dhe llogaridhënie./Llapi.info