Mediat serbe kanë publikuar një video të momentit kur njësiti special i Policisë së Kosovës, ROSU, ka hyrë në apartamentin e Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës.
Sot mediat serbe, kanë publikuar një video e njësitit special të Policisë së Kosovës, ROSU, duke hyrë në apartamentin e Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës, nënkryetarit të Listës Serbe i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Dyshohet se këtë video në mediat e ka dërguar vet Milan Radoiçiqi, transmeton lajmi.net.
Radojiçiq, pas publikimit të kësaj video, sot ka deklaruar se nuk është vrasës dhe nuk ka të bëj asgjë me vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Tutje në deklarimin e tij të parë publik pas kërkimit nga Policia e Kosovës, ai ka thënë se nuk do të dorëzohet pasi nuk dëshiron të përdoret si kukull nga ata që udhëheqin luftën kundër Serbisë.
Sipas tij, autoritetet e Kosovës duan ta heqin qafe për shkak se është një nga udhëheqësit politik serb që kundërshton ‘pushtimin e Mitrovicës veriore’.
Kujtojmë se Policia e Kosovës në aksionin e të premtes ka arrestuar tre serbë si të dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq.