Vetëm tetë shkolla të Podujevës janë bërë me drejtorë në konkursin e fundit të shpallur nga drejtoria e Arsimit në Komunën e Podujevës, raporton Llapi.info.
Në shumicën dërrmuese të shkollave të kësaj Komune ka dështuar zgjedhjeve e drejtorëve. Kjo ka bërë që përsëritet konkursi për 32 shkolla tjera.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, ka deklaruar për Llapi.info se shkak të mospërmbushjes së kërkesave siç kërkohen në Udhëzimin Administrativ nr. 151 të datës 24.12.2020, konkursi do të rishpallet në 32 shkolla.
“Në konkursin e fundit janë zgjedhur 8 drejtorë dhe një zëvendësdrejtore me mandat 4 vjeçar. Prej tyre, 7 drejtorë në ShFMU, 1 drejtor në ShMLT si dhe 1 zëvendësdrejtore ne ShMLT. Do te përsëritet në 32 shkolla konkursi për zgjedhjen e drejtorëve të ri për arsye të mos përmbushjes së kërkesave në bazë të Udhëzimit Administrativ Nr. 151 i datës 24.12.2020”, është shprehur Zhitia.
Ndërkohë, qysh në fillim të mandatit, kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, pati anuluar konkursin për zgjedhjen e 28 drejtorëve e zëvendësdrejtorëve në shkollat e Komunës së Podujevës, të shpallur nga ish-pushteti, LDK.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të Komunës, Nexhmi Rudari, më 1 dhjetor, 2 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve në këtë komunë, kishte marrë vendim për zgjedhjen e këtyre drejtorëve e zëvendësdrejtorëve. Në mesin e tyre edhe vëllain e vetë, Sabri Rudarin.
Në anën tjetër, drejtori i tanishëm i Arsimit, Avni Fetahu pati deklaruar se ish-partia që pati udhëhequr me Komunën, LDK, sipas tij, i pati shkelur edhe kriteret e konkursit.
Kujtojmë që Komuna e Podujevës, përkatësisht Drejtoria e Arsimit, ka bërë përzgjedhjen e drejtorëve të rinj për tetë shkolla.
Emrat e rinj i ka bërë publikë edhe Komuna e Podujevës, ndërkohë që në njoftimin e dhënë bëhet e ditur se Kryetari i Komunës ka miratuar rekomandimet e Komisionit intervistues për përzgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve për shkollat.
Sipas listës, Fatmir Emini është zgjedhur drejtor i Shkollës së Mesme Teknike “Fan S. Noli”, kurse Selvie Hoxha është emëruar si zëvendësdrejtor në po këtë shkollë.
Rafet Berisha është zgjedhur drejtor i Shkollës Fillore “Shaban Shala”. Besnik Uka është zgjedhur drejtor i Shkollës Fillore “Naim Frashëri”. Sheqir Krasniqi është emëruar drejtor i Shkollës Fillore “Ibrahim Rugova”. Agim Hamza është emëruar drejtor i shkollës Fillore “Enver Maloku”. Hatixhe Bajgora është emëruar drejtoreshë e Shkollës Fillore “Zenel Hajdni” në Lupc të Poshtëm. Enver Mehana është emëruar drejtor në Shkollën Fillore “Luigj Gurakuqi” në Batllavë dhe Naim Bajrami është emëruar drejtor drejtor në Shkollën Fillore “Zahir Pajaziti” në Orllan.
Ndërkohë, siç ka mësuar Llapi.info, drejtor i Shkollës së Mesme të Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani” është emëruar Liridon Mulliqi. Kurse, konkursi për drejtorë në 32 shkolla tjera ende nuk dihet se kur do të përsëritet./Llapi.info
Këta janë drejtorët e emëruar në shkollat e Podujevës