Lokale - eSIMy

Dy punëtorë shëndetësorë – në vetëm pak ditë, janë sulmuar fizikisht në vendin e tyre të punës në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Rasti i fundit ndodhi para dy dite. Rreth orës 12:00 të së dielës, mjeku A.B., u rrah nga një person, teksa ishte duke iu ofruar shërbime disa pacientëve tjerë.

Një nga punëtorët e Emergjencës, i cili kishte qenë vë në vendin e ngjarjes tregoi të dielën për Llapi.info se mjeku i sulmuar ishte duke i kontrolluar disa pacientë të tjerë në dhomën numër 3 të Emergjencës, ku brenda u fut i dyshuari me kërkesën që të shkonte në një dhomë tjetër dhe ta kontrollojë nënën e tij.

Sipas tij, në momentin kur mjeku i thotë se duhet të pres deri t’i përfundojë pacientët, i dyshuari e godet me grusht në fytyrë, duke ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Viktima, siç ka bërë të ditur edhe Policia e Kosovës, ka pranuar edhe tretman mjekësor.

“Podujevë, 20.03.2022-12:00. Viktima mashkull kosovar ka njoftuar se gjersa ishte në vendin e punës është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësorë. I dyshuari gjendet në arrati”, njoftoi PK.

Por, ky nuk është i vetmi rast në këtë fillimvit.

Në fund të muajit shkurt, edhe pulmologu I.H., u rrah nga një pacient në vendin e tij të punës. Policia në atë kohë pati thënë se kishte arrestuar të dyshuarin, ndërkohë që i njëjti ishte dërguar në mbajtje.

“Podujevë, 28.02.2022 – 11:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti në shenjë pakënaqësie ka sulmuar fizikisht  viktimën mashkull kosovar në vendin e punës. I dyshuari ka dëmtuar edhe inventarin e zyrës. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e PK-së.

E, pas këtyre rasteve, punëtorët tjerë shëndetësorë e kanë dënuar sulmin ndaj kolegëve të tyre. Të njëjtit kanë kërkuar siguri.

“Ne, menaxhmenti i QKMF-së në Podujevë, dënojmë ashpër sulmin në vendin e punës ndaj kolegut tonë Dr. A.B. Sulmi i vazhdueshëm ndaj stafit të mantelbardhëve në vendin e tyre të punës është tejet shqetësuese dhe krijon pasiguri tek secili punëtor shëndetësor! Ftojmë organet kompetente në zbardhjen e rasteve si dhe ofrimin e sigurisë në ambientet e punës! Kolegut tonë i urojmë shërim dhe kthim të shpejtë në misionin e shenjtë të mjekut”, thuhet në reagim.

Sulmin ndaj mjekut A.B., e ka dënuar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili e ka quajtur këtë akt të papranueshëm.

“Sulmi ndaj mjekut në QKMF në Podujevë është një akt i papranueshëm dhe i turpshëm. Duke e dënuar ashpër sulmin ndaj mjekut në vendin e tij të punës, kërkoj nga organet e rendit të ndërmarrin masat ligjore dhe të nxirret para drejtësisë autori i sulmit”, ka shkruar Bulliqi në Facebook.

Duhet potencuar se portali Llapi.info pati pranuar dhjetëra ankesa nga pacientët për siç ka thënë, pritje të gjata nëpër korridoret e institucioneve shëndetësore në Podujevë./Llapi.info