Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shënuar rezultatin më të dobët në histori në zgjedhjet e së dielës, shkruan Llapi.info.
Për dallim nga herët tjera, kjo parti garoi me një kandidate femër, e cila aktualisht është deputete në Kuvendin e Kosovës.
Por, këto zgjedhje dolën të ishin më të dobëtat në histori të PDK-së në Podujevë. Zejnullahu arriti t’i marrë vetëm 2 mijë 422 vota.
Në anën tjetër, PDK ka arritur të marrë më shumë për asamble komunale, duke grumbulluar rreth 3 mijë e 500 vota, e cila ia siguron tre apo eventualisht katër këshilltarë komunalë.
Vitin e kaluar në zgjedhjet e jashtëzakonshme, Naim Fetahu ka marrë mbi 4 mijë vota. Në zgjedhjet e vitit 2017, Hajredin Hyseni i mblodhi 7.120 vota. Ndërkaq, në vitin 2013, Naim Fetahu u rendit i dyti me 15 e 231 vota.
Siç ka mësuar jozyrtarisht Llapi.info, Bashkim Syla është kandidati më i votuar nga kjo parti, i cili me shumë gjasë do të jetë edhe për një mandat këshilltar komunal nga kjo parti.
Përveç Sylës, edhe Ilmi Hoxha ka siguruar votat e mjaftueshme për t’u bërë asamblist. Ndërkaq, nga femrat më të votuara janë Endrita Murati dhe Mimoza Stublla.
Një grup i kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal në Podujevë janë ankuar për keqpërdorim të fletëvotimeve dhe të votave qytetarëve, nga kandidatët brenda kësaj partie.
Dhjetë kandidatë nga kjo parti kanë akuzuar komisionerët dhe KKZ-në, duke thënë se votat dhe vullneti i qytetarëve, siç thuhet në reagim është shtrembëruar.
“Në vendvotime është bërë masakër zgjedhore brenda subjektit tonë në Podujevë. Ne jemi të pakënaqur me punën e Komisionarëve dhe KKZ, votat dhe vullneti qytetare është shtrembëruar, lidhur me këtë kemi fakte të mjaftueshme. Ne do të ushtrojmë te drejtën tonë të ankesës në PZAP. Kërkojmë nga organet shtetërore që të hetojë keqpërdoruesit e fletëvotimeve dhe vullnetit qytetare”, thuhet në reagim.
Sipas rezultateve të KQZ-së, Ekremi Hyseni i LDK-së prin me 16.451 vota, 113 vota më shumë se Shpejtim Bulliqi i VV-së, i cili ka 16.338 sosh. Në vendin e tretë, sipas rezultateve të KQZ-së, është radhitur Floretë Zejnullahu e PDK-së me 2.422, e pasuar nga Besnik Tahiri me 1.479 vota./Llapi.info






