Kosova tashmë ka shqyrtuar mundësin e trajtimit të pacientëve të infektuar me COVID-19 me plazmën e gjakut të të shëruarve nga ky virus, për këtë është formuar një grup punues, thonë për lajmi.net nga Ministria e Shëndetësisë.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kjo mundësi është shytuar dhe tashmë është formuar grupi punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientët me Covid-19.
“Kjo mundësi është shqyrtuar nga Ministria e Shëndetësisë. Për ketë qellim është formuar grupi punues për hartimin e Protokollit për përdorimin e plazmës kovaleshente te pacientet COVID-19”, thuhet shkurt në përgjigjën e MSH-së për lajmi.net.
Nga kjo ministri nuk kanë dhënë detaje të tjera saktësisht se kur në vendin tonë do të nis trajtim i pacientëve me plazmën e të shëruarve.
Lajmi.net për këtë ka kërkuar detaje edhe nga Qendra e Kosovës për Transfuzion të Gjakut, për të parë nëse ka filluar të grumbullohet plazma kovaleshente, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, ekspertët amerikanë thonë se plazma e gjakut nga të mbijetuarit e COVID-19 me siguri ndihmon pacientët e tjerë të infektuar të shërohen, edhe pse studimet për këtë nuk kanë qenë përfundimtare dhe ka ende pikëpyetje se kur duhet të ofrohet ky trajtim, dhe çfarë doze nevojitet.
Plazma e gjakut merret nga pacientët të cilët janë shëruar nga koronavirusi, pasi gjaku i tyre është i pasur me antitrupa që mund të luftojnë virusin.
Transfuzioni i këtyre antitrupave, krijon atë që njihet si imunitet pasiv te të sëmurët nga COVID-19.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vepruar me kujdes sa i përket miratimit të përdorimit të plazës së pacientëve të shëruar nga COVID-19, për personat e infektuar me koronavirus, duke thënë se të dhënat se ky trajtim funksionin janë të një “cilësie të dobët” pavarësisht pse Shtetet e Bashkuara kanë bërë autorizim urgjent për këtë terapi.