Punëtorët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, sot kanë mbajtur protestë për mos përfshirje në pagat shtesë për korrik dhe gusht, raporton Llapi.info.

Protesta njëorëshe e punëtorëve të Administratës, shoferëve dhe pastruesve është mbajtur në oborrin e kësaj qendreje, me arsyen se të njëjtit s’janë futur në listat për shtesat prej 300 eurosh për këta dy muaj.

Kryetari i Sindikatës, Sheqir Maliqi, tha se mosmarrja e shtesës, sipas tij, është padrejtësi, pasi që të gjithë këta punëtorë i ekspozohen rrezikut ndaj COVID-19, njëjtë sikurse mjekët dhe infermierët. Përveç këtyre punëtorëve, Maliqi ka thënë se ka edhe infermierë që s’i kanë marrë shtesat, për shkak se janë me kontratë mbi vepër.

“Ne po kërkojmë që shtesa prej 300 euro për korrik dhe gusht këtyre njerëzve t’u paguhet sa më parë që të jetë e mundur, përndryshe do e lëmë punën do e bojkotojmë punën me pasojat do të merren ata”, ka thënë Maliqi, duke shtuar se nga ky personel ka pasur edhe punëtorë që kanë dalë pozitivë me COVID-19.

Edhe shefi i autoambulancave, Naim Hoxha, ka paralajmëruar se nëse s’dalin shtesat për këtë kategori, puna do të ndërpritet.

Në rast se nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim nga Ministria e Shëndetësisë, protestuesit kanë paralajmëruar se do të bojkotojnë punën deri në realizmin e kërkesave të tyre./Llapi.info