Federata e Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë është duke protestuar para Ministrisë së Shëndetësisë.

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë në Kosovë, Blerim Syla në një konferencë për media tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka lënë nën mëshirën e fatit punëtorët shëndetësor, transmeton Telegrafi.

“Protesta jonë është e ndarë në dy pjesë, është pjesa e parë që po zhvillohet para Ministrisë së Shëndetësisë dhe pjesa e dytë e cila do të zhvillohet në ora 13:00 para Qeverisë. Dhe pyetja është pse? Mu në këtë ndërtesë ministri Vitia për gjatë kësaj kohe, në kohë të pandemisë e ka neglizhuar totalisht punëtorin shëndetësor dhe ka ndërpre çdo dialog social, ka qenë vetëm një takim i vetëm kur ne kemi ofruar ndihmë për vaksina, dhe asgjë më tepër. Si rrjedhojë e kësaj, zotëri Vitia as që na ka ftuar të vazhdohet me dialog social dhe kërkesat tona të shkojnë në Qeveri, si e tillë kemi një ofendim dhe degradim të punëtorëve shëndetësor”, tha ai.

Tutje ai, tha se është duke u bërë shkelje të drejtave të punëtorëve shëndetësor.

“Kemi shkelje të drejtave të mjekëve, infermierëve, specializantëve dhe të gjithë zinxhirit komandues që shkon vetëm e vetëm për neglizhencën e ministrit Vitia, i cili punëtorin shëndetësor e ka lënë nën mëshirën e menaxhereve të tij. FSSHK nuk ka pasur rrugëdalje tjetër përveç se të dalim në protestë”, potencoi ai.

Syla shtoi tutje se “Është momenti i fundit që ministri Vitia të deklarohet a do të jetë ministër i të gjithëve, apo do të na lë në mëshirën e fatit”.

“Nuk është e vërtetë se kemi mjaftueshëm barna, nuk është e vërtetë që na kanë dhënë shtesat”, pohoi ai.

Syla gjithashtu bëri të ditur se në ora 13:00 do të mbajnë edhe pjesën e dytë të protestës e cila do të zhvillohet para Qeverisë.