Propozimi i LDK-së për “qeveri nacionale të tranzicionit” nuk është pritur mirë në Lëvizjen Vetëvendosje.

Deputeti i zgjedhur nga LVV-ja, Fitim Haziri, në një bisedë për KALLXO.com ka vlerësuar se me këtë propozim LDK-ja ka treguar se nuk është e gatshme për bashkëpunim.

“Deklarata ka tone të ashpra dhe tregon që nuk dëshirojnë bashkëpunim me LVV-në. Kërkesa për qeveri nacionale, tregon paaftësinë e tyre për të marr përgjegjësi në këtë kohë kur vendi ka nevojë- për temat e ndryshme që Kosova përballet me to, si dialogu e zhvillimi ekonomik. Ne si LVV duhet të shikojmë se çka tjetër mund të krijojmë dhe të fillojmë zhbllokimin e institucioneve” – deklaroi Haziri për KALLXO.com.

Qeveria e tranzicionit, sipas tij, nuk mund të krijohet për shkak se nuk ka krizë të madhe.

“Nuk është krizë e tillë qysh e ka përshkruar në letër. Kriza e vetme është bllokimi i Kuvendit, e kjo krizë do të zhbllokohet” – tha Haziri.

Si zgjidhje, ai nuk e sheh koalicionin me PDK-në. Sipas tij, LVV-së tani i mbetet një alternativë tjetër për ta konstituuar Kuvendin dhe të zgjedh Qeverinë e re.

“Përderisa kemi bllokada nga LDK, AAK dhe PDK neve na mbetet t’i fillojmë bisedimet me deputetët veç e veç që e kanë interesin e Kosovës para interesit partiak, qoftë ata të PDK-së apo edhe të LDK-së”, – deklaroi Haziri.

Edhe bashkëpartiakë tjerë të Hazirit janë kundër idesë së Abdixhikut.

Propozimin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixiku për qeveri të tranzicionit e konsideron jokushtetues zëvendësministri në detyrë i Drejtësisë, Blerim Sallahu që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Është jokushtetuese të propozosh nga pozicioni i tretë qeveri tranzicionale! Kjo dhe format e tjera të krijimit të qeverisë i takojnë dikujt tjetër” – ka shkruar Sallahu.