Lokale - eSIMy

Banorët e brezit kufitar të fshatit të Karaçevës nuk po ndihen rehat në vendbanimet e tyre.

Tash e disa kohë, në brendi të fshatit po patrullojnë xhandarmëria serbe.

Ata po ankohen se KFOR-i, me anë të vendosjes së kufirit administrativ mes Kosovës dhe Serbisë, ua la shumë prona në territorin e Serbisë.

Me të hyrë në këtë fshat, përveq pamjes piktoreske, në horizont mund të vërehet edhe ‘Bypass-I’ i vendosur nga KFOR-i.

Ky Bypass e përfshinë vendin e quajtur “Ugari” e deri tek “Varret e Spahoviqe”.

Nëse shihet ana gjeografike, Kosovës i rrëmbehen 20 mijë hektar tokë.

Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës, Selver Lenjani, duke folur për lajmi.net thotë se banorët jetojnë të terrorizuar nga prania e forcave serbe në këtë fshat, në të cilin ai thotë se nuk jeton asnjë pjesëtar i komunitetit serb.

Për këtë problem, ai thotë t’u kenë shkruar të gjithë krerëve shtetërorë, mirëpo se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

Letër ai thotë se u ka dërguar edhe ekipit negociator, e as nga këta të fundit nuk mori diçka konkrete.

Por, nuk e mohon mundësinë që shqiptarët e kësaj ane t’i mbrojnë trojet e tyre, madje edhe me forcë.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka dërguar pyetje edhe në komunën e Kamenicës.

Nga kjo e fundit, thonë se kanë qenë të shqetësuar me situatën e krijuar në këtë fshat, por se thonë se e njëjta nuk është kompetencë e komunës së Kamenicës.

Sipas tyre, situata e tillë është mundësi e madhe për tensione.

“Pronësia e atyre pronave nuk është kontestuese. Banorët kanë të drejtën e tyre ligjore të shfrytëzimit të atyre pronave por që kjo nuk guxon të pamundësohet nga provokime të tilla”, thuhet në përgjigjen e komunës së Kamenicës.

E duke i konsideruar institucionet e Kosovës të pafuqishme, Kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës thotë se nuk do të heqin dorë asnjëherë nga e drejta e tyre.

Deri në një zgjidhje përfundimtare, Karaçeva vazhdon të jetë e ndarë në Kosovë e Serbi