Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër banesa e shtëpi, duke shkaktuar kështu humbje e pasiguri. Në shumicën e rasteve familjet nuk janë në shtëpi, periudhë kjo që shfrytëzohet nga hajnat. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën ‘B’ në Prishtinë, por jo si zakonisht, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria bëjnë me dije se pronari e zuri mat të dyshuarin në banesë dhe e mbylli derisa e njoftoi Policinë për rastin. Ngjarja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, kur pasi Policia mori informacionin nga qytetari, shkoi te banesa e tij, ku edhe u arrestua i dyshuari.

Siç mëson Sinjali, posa pronari i banesës ishte kthyer, e kishte gjetur të dyshuarin brenda, me ç’rast ia ka mbyllur derën derisa zyrtarët policorë intervenuan.

Pas arrestimit, i dyshuar është shoqëruar në stacion policor, ku para hetuesve gjatë intervistimit e ka pranuar veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “vjedhje e rëndë në tentativë”.