Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet pas akuzave drejtuar kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, se ka ndërhyrë në vendimet për ndërtime e rrënime në Llap. 

Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, tha për Sinjalin se do të merren masa konform dispozitave ligjore, nëse konfirmohen deklaratat e ish-drejtorit të Inspeksionit, Besnik Mulliqi se Bulliqi ka ndërhyrë në vendimet për ndërtimet në zonën e Orllanit.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokuroria është duke i shqyrtuar të gjitha pretendimet e dhëna në opinionin publik nga z. Mulliqi, si dhe do të veprojë konform dispozitave ligjore në fuqi”, thuhet në përgjigjen e Ulajt për Sinjalin.

Pasi Bulliqi e shkarkoi nga pozita e drejtorit të Inspekcionit, Besnik Mulliqin, ky i fundit ka reaguar me një sërë akuzash, duke e konsideruar një vendim skandaloz shkarkimin e tij.

Mulliqi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se shkarkimi i tij erdhi pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, saktësisht në zonën e liqenit të Batllavës.

Ai e ka pranuar që ka pasur mospajtime të thella me Bulliqin.