Prokurori i Shtetit ka dalë me sqarim lidhur me listën e publikuar të ‘veteranëve të rrejshëm’, sipas aktakuzës për këtë çështje, për të cilën pati pakënaqësi nga persona që thonë se ishin pjesë e UÇK-së dhe janë përshirë padrejtësisht në listë.

Individë dhe organizata të veteranëve të luftës së UÇK-së kanë dalë me reagime për publikimin e një listë të ‘veteranëve mashtrues’ nga aktakuza për rastin e listave të veteranëve.

Disa prej tyre kanë potencuar se janë përfshirë në listë megjithëse aktviteti i tyre në UÇK është gjerësisht i njohur.

Megjithatë sipas Prokurorit të Shtetit në listën e publikuar përfshihen edhe përfituesit e kundërligjshëm, që përfshin ata që marrin paga të tjera në sektorin publik dhe privat.

“Prokurori i Shtetit, njofton opinionin se gjatë fazës së grumbullimit të informacioneve si dhe gjatë hetimeve që kanë zgjatur për një vit e gjysmë, janë shqyrtuar mbi 80 mijë aplikacione, dhe nëse eventualisht ndonjë veteran luftëtar i UÇK-së, është dëmtuar me përfshirjen e emrit të tij nga Prokuroria në listën e përfituesve të kundërligjshëm, atëherë do të bëjmë kërkesë që emrat e tyre të tërhiqen si përfitues të kundërligjshëm dhe do ti propozohet Gjykatës, që në bazë të dokumentacionit të rishikuar që ndaj tyre të mos zbatohet masa e përkohshme e ndalimit të pagesës së pensionit personal të veteranit luftëtar”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Siapas prokurorisë në nenin 16 paragrafi 4 të Ligjit për veteranët e luftës është e paraparë që veteranët e UÇK-së, të cilët janë të punësuar në sektorin publik apo privat nuk kanë të drejtë të përfitimit pasuror, gjithashtu edhe personat të cilët janë në kategorinë si pjesëtar i UÇK-së, ose në kategorinë pjesëmarrës i luftës, me Ligj nuk i takon e drejta për pension personal të veteranit luftëtar, dhe kjo ka qenë arsye pse disa nga ta janë përfshirë në aktakuzë si përfitues të kundërligjshëm.

“Rritja e numrit prej 19060 përfituesve në 20238 përfituesve është bërë nga të dhënat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, të cilat gjenden në CD 3 dhe 4, e që kanë të bëjnë me personat që gjatë hetimeve në bazë të aplikacioneve të kontrolluara nga Prokurori, është konstatuar se kanë qenë pjesëtarë të UÇPMB-së, por, për të cilët nuk ka të dhëna në aplikacion se kanë qenë veteran luftëtar të UÇK-së, siç është përcaktuar me Ligj, gjithashtu janë vënë në listë edhe përfituesit, aplikacionet e të cilave janë plotësuar dhe nënshkruar nga i njëjti dorëshkrim”, thuhet në njoftim.

Në njoftim theksohet se kjo aktakuzë e ushtruar nga Prokurori i Shtetit, nuk ka të bëjë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, si dhe, me vlerat e saj por është aktakuzë e paraqitur kundër zyrtarëve që kanë vepruar në kuadër të Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranit të UÇK-së. E tërë procedura penale tregon qartë, se edhe përkundër obstruksioneve Prokuroria e Shtetit, është e aftë që në mënyrë të drejtë dhe të pavarur ti kryej obligimet e veta, e ajo është ndjekja e kryerësve të veprave penale.