Foto ilustrim
Lokale - eSIMy

Prokuroria ka kërkuar dënimin e B.S, i cili po akuzohet se në gusht dhe shtator të vitit 2013, në shtëpinë e vëllait të tij, vodhi 2 mijë e 600 euro para të gatshme, stoli ari e argjendi si dhe orendi të shtëpisë në vlerë prej 4 mijë e 300 euro.

Një kërkesë e tillë, është paraqitur në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Viti, nga prokurorja Huma Jetishi, gjatë fjalës përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroja Jetishi tha se pas administrimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën ngarkohet.

Sipas saj, zyrtarët policorë në cilësi të dëshmitarëve gjatë shqyrtimit gjyqësor, mjaft mirë e përshkruan se i akuzuari e ka pranuar fajësinë dhe e ka përshkruar rastin.

Prokurorja i ka kërkuar gjykatës që i akuzuari të shpallet fajtor dhe atij t’i shqiptojë një dënim meritor.

Ndërkaq, i akuzuari B.S, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar nga gjykata drejtësi, duke shtuar se nuk ka asnjë provë me të cilën vërtetohet fajësia e tij.

I njëjti ka shtuar se pranimin e veprës penale në stacionin policor në Viti, e ka bërë pasi që ndaj tij është ushtruar dhunë nga ana e policisë.

Para se të jepej fjala përfundimtare, në këtë seancë janë dëgjuar zyrtarët policorë B.A dhe N.H, në cilësi të dëshmitarëve.

Dëshmitarët kanë deklaruar se e kanë intervistuar të dyshuarin dhe se i njëjti në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë për këtë vepër pa asnjë lloj trysnie apo dhune.

Ata gjatë deklarimit të tyre kanë shtuar se i njëjti është intervistuar pa praninë e avokatit, ngase në atë kohë nuk ka qenë obligative sikur që është tash dhe këtë e ka bërë me vullnetin e tij, ku dhe ka dhënë nënshkrimin se nuk dëshiron avokat.

Më pas, gjykatësja Drane Simani, ka thënë se pas fjalëve përfundimtare të palëve në procedurë, ky shqyrtim gjyqësor ka përfunduar dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 31 gusht 2022.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit më 2 gusht 2013, në intervalin kohor nga ora 18:45-00:00 h, në fshatin Vërban, Komuna e Vitisë, i pandehuri me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka kryer vjedhje te rëndë në dëm të dëmtuarit-vëllait të tij F.S., në atë mënyrë që me përdorimin e forcës e hapë dritaren e bodrumit të shtëpisë, depërton në brendi, dhe nga aty ka vjedhur 2 mijë e 600 euro para të gatshme, si dhe stoli ari dhe atë një unazë, një zinxhir dore, dy zinxhir qafe, një lirë si dhe disa bizhuteri, në vlerë prej 4 mijë euro, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material në vlerë rreth 6 mijë e 600 euro.

Me këto veprime, B.S, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nënparagrafin 2.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, sipas aktakuzës së dytë të ngritur nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, në muajin shtator 2013, në kohë të pacaktuar, në fshatin Verban, Komuna e Vitisë, akuzuari B.S, me qëllim që vetes apo dikujt tjetër t’i sjellë përfitim të kundërligjshëm pasuror, ka vjedhur në dëm të të dëmtuarës -kunatës M.S. nga fshati Verban, Komuna e Vitisë, në atë mënyrë që duke e përdorur forcën, dëmton roletën e dritares, meqë rast hapë dritaren e katit përdhese (bodrumit), depërton brenda në shtëpi dhe nga aty vjedhë: perde të dritareve në vlerë prej 230 euro, tre jorganë, dy bombola të plinit dhe tre tepsia, ashtu që me sendet e vjedhura largohet nga shtëpia dhe ikë në drejtim të panjohur, në këtë mënyrë te dëmtuarës i shkakton dëm material në vlerë rreth 300 euro.

Me këto veprime, B.S, akuzohet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e rëndë” nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nënparagrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç, nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.