Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës me tetë ditë vonesë ia ka dërguar Qeverisë së Kosovës draftligjet për transformimin e FSK-së në ushtri ndërsa tani i mbetet Qeverisë së Kosovës që ta procedojë të njëjtën në mbledhje të Qeverisë.

Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës ka konfirmuar që Projektligji për Transformimin e FSK-së është dërguar në Qeveri më 8 maj, me ç’rast ata janë shprehur të bindur se partitë politike të vendit do të votojnë pro këtij transformimi.

“Pas marrjes së deklaratës financiare për koston buxhetore nga Ministria e Financave dhe pëlqimit nga Ministria e Integrimeve Evropiane që draftligjet janë të harmonizuara me legjislacionin e BE-së, draftligjet për transformimin e FSK-së MFSK-ja më 8 maj 2018 i ka dërguar në Qeveri”, ka thënë Ibrahim Shala, zëdhënës në MFSK, shkruan gazeta “Zëri”.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës thotë se po kërkon konsensus për këtë çështje, që sipas tyre duhet të bëhet në koordinim me partnerët strategjikë të Kosovës.