Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, Hilmi Hoxha, ku ishte i pranishëm edhe kryetari Komunës, Shpejtim Bulliqi, nënkryetarja Marigona Lahu , drejtorët e drejtorive, shkruan Llapi.info.

Në këtë seancë janë miratuar disa propozim-vendime.

Ndër to, bën pjesë edhe caktimi i lokacionit për ndërtimin e Palestrës Sportive.

Drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Pajtim Balaj, duke kërkuar që të përkrahet propozimi i tij, ka thënë se zona ku do të ndërtohet kjo palestër, është prapa pishave të qytetit – ngjitur me varrezat e lagjes së “Brecalive”.

“Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, për këtë vit, ka planifikuar 1.6 milion euro për ndërtimin e palestrës në Podujevë. Kjo palestër ka mbetur pa u ndërtuar që nga vitit 2018. Kontrata është nënshkruar që nga vitit 2017, por pas problemeve që kanë dalë, ka qenë e pamundur të ndërtohet deri më sot”, ka thënë Balaj.

Me shumicë votash, kjo pikë e rendit të ditës është miratuar sot në Kuvendin e Komunës së Podujevës./Llapi.info