Hysri Selimi është personi i arrestuar sot nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Spiunazhi”, sipas nenit 124 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hysri Selimi, është emër i njohur për autoritetet kosovare për përfshirjen e tij të mëhershme në aktivitete terroriste.

Arrestimi i Selimit është rezultat i një hetimi të gjerë dhe të thelluar nga Prokuroria Speciale, që përfshinte edhe masa të veçanta hetimore të zbatuara për disa muaj.

Operacioni është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda si dhe me asistencën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gjatë këtij operacioni janë bastisur dy lokacione në territorin e Kosovës, me urdhër të gjykatës kompetente.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar prova materiale që lidhen me aktivitetet e dyshuara, përfshirë pajisje të komunikimit elektronik, të cilat mund të jenë përdorur për transmetim të informatave konfidenciale.

Selimi është ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit të rastit, ndërsa hetimet pritet të thellohen për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe për të zbuluar ndonjë përfshirje të mundshme të palëve të tjera.

Kush është Hysri Selimi?

I arrestuari Hysri Selimi ishte gjykuar nga drejtësia kosovare për veprën e terrorizmit dhe se kishte qenë pjesë e organizatës ISIS.

I njëjti bashkë me anëtarët e tjerë të familjes kishin lëshuar Kosovën- me destinacion Sirinë, në mënyrë që t’i bashkoheshin ISIS-it.

Hysri Selimi nga fshati Bresalc i Komunës së Gjilanit ishte i njohur nën dyshimin për lidhje me ISIS-n, derisa sipas aktakuzës së asaj kohe Selimi ishte angazhuar në byronë e ushtarëve të plagosur të ISIS-it për çka edhe ishte paguar rregullisht nga kjo organizatë me nga 100 USD në muaj.

Në vitin 2022, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër tij për veprën penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Ai akuzohej se me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake së bashku me bashkëshorten e tij dhe vajzën e mitur kishte lëshuar territorin e Kosovës përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari” në Prishtinë.

Ai kishte udhëtuar për në Stamboll-Turqi dhe përmes lidhjeve të caktuara ka depërtuar në Siri me qëllim që t’i bashkëngjitet Organizatës terroriste ‘’ISIS’’ e cila në këto vende ka qenë duke luftuar ku edhe është angazhuar si pjesëtarë i ‘’ISIS-it’’, si administrator në Byronë e ushtarëve të plagosur nën administrimin e ‘’ISIS-it’’, është financuar nga ‘’ISIS’’ me shumën e të hollave prej nga 100 dollar në muaj duke bashkëpunuar edhe me eprorë dhe luftëtarë të ‘’ISIS-it’’.

Sipas prokurorisë, i njëjti në këtë organizatë terroriste ka qenë i angazhuar në Byronë e ushtarëve të plagosur, dhe për këtë funksion është financuar nga ISIS me shumën e të hollave prej 100 USD në muaj.

Hysri Selimi ishte riatdhesuar në Kosovë më datë 28.05.2022.