Zona ekonomike amerikane në Kosovë, sipas pritjeve të institucioneve dhe përfaqësuesve të bizneseve, do të mund të tërheqë investitorë të shumtë amerikanë të cilët më pas produktet e tyre do t’i eksportojnë në tregun e gjerë të Bashkimit Evropian, i cili ka diku rreth 500 milionë konsumatorë.
Krijimi i zonës ekonomike amerikane është bërë me një vendim të Qeverisë së Kosovës një vit më parë, por ende nuk është funksionalizuar. Lokacioni i kësaj zone është në Gjakovë dhe ka një sipërfaqe prej mbi 500 hektarë tokë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tha për Radion Evropa e Lirë se zona ekonomike amerikane ka tërhequr vëmendjen e disa kompanive amerikane që të shtrijnë kapitalin e tyre në Kosovë.
“Si Odë Ekonomike Amerikane në Kosovë tash e disa vjet promovojmë para investitorëve potencialë amerikanë këtë idenë e shfrytëzimit të Kosovës si një zonë ku ata do të mund të prodhonin produktet e tyre dhe pastaj të njëjta t’i eksportonin në tregun Evropës, në tregun e 500 milionë konsumatorëve të Bashkimit Evropian. Kjo do të vinte edhe në një moment të përshtatshëm kur tregtia e lirë ndërmjet BE-së dhe SHBA-së nuk është në nivelin e duhur”, tha Zeka.
“Zona ekonomike amerikane do të ishte mundësi e mirë për të tërhequr këta investitorë potencialë amerikanë. Në bazë të informatave që kemi kjo (zona ekonomike amerikane) ka ngritur entuziazmin e kompanive, sidomos nga shteti amerikan i Iowa-s për të ardhur dhe për t’u vendosur në zonën ekonomike amerikane, kurdo që ajo të funksionalizohet dhe shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejtë”, theksoi Zeka.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovës tanimë ka dhënë rekomandimet rreth kësaj zone ekonomike dhe si të tilla ato u janë dorëzuar autoriteteve kompetente.
Zeka shton se Kosova si një treg i vogël nuk mund të jetë shumë atraktiv për investitorët, prandaj sipas tij, duhet krijuar lehtësira ekonomike. Andaj, edhe rekomandimet e dhëna nga Oda Ekonomike, sipas tij, duhet të jetësohen.
Ai thotë të kanë pasur komunikim me Qeverinë e Kosovës sa u përket disa detaje të zonës amerikane dhe se janë të vetëdijshëm që disa rekomandime kërkojnë ndryshime ligjore, por që ato mund të bëhen në një periudhë për aq sa edhe mund të funksionalizohet kjo zonë ekonomike.
“Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka dorëzuar Qeverisë së Kosovës një dokument që përmban rekomandimet tona për funksionalizimin e asaj që njihet si qyteti ekonomik kosovar – amerikan. Disa nga rekomandimet që ia kemi kërkuar qeverisë që do t’iu ofroheshin investitorëve brenda kësaj zone do të ishin pushimet tatimore në të ardhura të korporatës diku prej 10 viteve, përjashtim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për mallrat që do të furnizohen nga furnitorët vendor e të cilat do të përpunoheshin brenda zonës amerikane”.
“Po ashtu kemi rekomanduar procedura më të përshpejtuara doganore, pra vendosjen e pikave doganore brenda zonës veçantë ekonomike amerikane, mekanizma për trajtimin e shpejtë të kontesteve të mundshme të bizneseve dhe Administratës Tatimore dhe të gjitha këto të ofrohen brenda zonës”, thekson Zeka.
Lidhur me funksionalizimin e kësaj zone ekonomike Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se janë duke vazhduar përgatitjet për vënien në funksion të kësaj zone.
“Qeveria e ka lejuar një sipërfaqe toke të konsiderueshme diku mbi 500 hektarë në afërsi të qytetit të Gjakovës për zonën amerikane për këtë janë duke u krijuar kushte që të aktivizohet ajo sipërfaqe, janë marrë edhe vendime tjera siç është kyçja në autostradën e re që do të ndërtohet, kyçja në infrastrukturëujore, pra të gjitha aspektet e infrastrukturës që i ndihmojnëzonës për tu funksionalizuar janë marrë”.
‘Sa i përket institucioneve të Kosovës ne kemi larguartë gjitha pengesat dhe kemi marrë të gjitha vendimet që lidhen me këtë zonë. Por presim të funksionalizohet në tërësi dhe bizneset nga Amerika të vijnë dhe të nisin biznesin e tyre aty”, thotë Shatri.
Themelimi i zonës së veçantë ekonomike amerikane ishte konsideruar nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës si një dëshmi e partneritetit afatgjatë Kosovë – ShBA.
Këtë zonë ekonomike e kishin konsideruar të një rëndësie të madhe për ofrimin e kushteve të nevojshme për investimin e kompanive të ndryshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu ishte parë si mundësi e mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe rritjen e punësimit.
Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj pati thënë se investitorët amerikan në këtë zonë do t’i gëzojnë të gjitha privilegjet, për ta bërë atraktive ekzistencën e kësaj zone për investime në Kosovë.
Ndërkohë, Ish-komandanti i NATO-s, gjenerali Wesley Clark i cili pranishëm në konferencën për sigurinë që u mbajt në Prishtinë për 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, përveç tjerash theksoi se do të dëshironte ta shihte Kosovën si një vend evropian ku investitorët amerikanë do të ndiheshin të sigurt të investonin.
“Ju keni nevojë për ligje të forta dhe të keni një sistem të fortë të drejtësisë dhe se ju keni nevojë për investime dhe unë do të doja të shihja që Kosova përmbush qëllimet e saja, që të bëhet vendi më miqësor për investime, vendi më mundësitë më të mira në Evropë për investimet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju jeni vendi më miqësorë në Evropë dhe ne do të dëshironim të vinim këtu dhe presim nga ju që ta bëni një gjë të tillë”, ka thënë
Zonë e lirë ekonomike është një territor që ka një status të veçantë ekonomik. Ligji për zonat ekonomike në Kosovë parasheh katër lloje të zonave të lira ekonomike: zonat ekonomike apo parqet industriale, parqet teknologjike si dhe qendrat inovative.
Investitorët amerikanë dhe investitorët tjerë ndërkombëtarë në vazhdimësi ishte theksuar se përballen me shumë burokraci në komunat e Kosovës.
Investimet e huaja direkte në Kosovë nga viti në vit kanë shënuar rënie. Derisa në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja ishte në 440 milionë euro, në vitet e fundit vlera e investimeve të huaja mesatarisht arrin vlerën e rreth 250 milionë euro.