Udhëtimet e përfaqësueses së Kosovës dhe tifozëve të saj do të jenë përgjysmë më të vogla tashmë.
Përkrahja e shikuesve ndaj Kosovës, që u zbeh me kalimin e kohës, pritet të jetë sërish e madhe. I madh pritet të jetë edhe presioni i tifozëve të Kosovës ndaj përfaqësueseve rivale.
Kosova, më në fund, do të luajë ndeshje garuese në shtëpi. Do të luajë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ky fakt pritet të sjellë benefite të shumta për përfaqësuesen, por edhe për futbollin kosovar në përgjithësi, shkruan sot Koha Ditore.
Të enjten, pas një pritjeje të gjatë, Kosova është bërë me një stadium të licencuar për ndeshje zyrtare të përfaqësueseve, përkatësisht për ndeshjet e Ligës së Kombeve të UEFA, garën e re që nis javën tjetër. UEFA të enjten ka njoftuar se ka licencuar stadiumin “Fadil Vokrri” për Ligën e Kombeve.






