Pothuajse çdo ditë në Policinë e Kosovës denoncohen raste të dhunës në familje, ku viktima janë kryesisht gratë, të cilat përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët, apo edhe familjarët e tjerë. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë në rrugën “Tomorri” në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se këtë herë në rast janë përfshirë nusja dhe vjehrra, pasi kjo e fundit e denoncoi gruan e djalit për dhunën dhe presionin që sipas saj ajo ia ka shkaktuar.

E dyshuara Sh.Z., 32-vjeçare po akuzohet nga vjehrra se e ka sulmuar me grushte, për shkak të një mosmarrëveshje të momentit, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Pasi Policia ka marrë informacionin, ka shoqëruar palët në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me rastin.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit ndaj të dyshuarës është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “dhunë në familje”.