Drejtoria e Inspekcionit në kryeqytet të hënën ka rrënuar një objekt afarist të ndërtuar pa leje në pronë shoqërore brenda Tregut me shumicë.

“Sot Drejtoria e Inspekcionit në Kryeqytet ka rrënuar një objekt afarist (i papërfunduar tërësisht) i cili ishte ndërtuar në pronë shoqërore dhe pa leje të organit kompetent në brendi të hapësirave të Tregut me shumicë në kryeqytet”- bëhet e ditur në njoftimin e kësaj drejtorie.

Tutje, theksohet se inspektorët e ndërtimit e kanë paralajmëruar palën për mos zhvillim të punimeve, por ky i fundit nuk e kishte respektuar këtë vërejtje.

“Drejtoria e Inspekcionit, përkatësisht, inspektorët e Sektorit të Ndërtimit, me kohë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet dhe kanë paralajmëruar palën për mos zhvillim të punimeve, mirëpo pala ka vazhduar me punë pavarësisht vërejtjeve të inspektorëve çfarë ka sjellur edhe reagimin – rrënimin e objektit në fjalë”-bëhet më tej e ditur në njoftim.

Drejtoria e Inspekcionit ka kërkuar nga të gjithë qytetarët e kryeqytetit që të jenë bashkëpunues me inspektorët e kryeqytetit dhe t’i përfillin kërkesat dhe këshillat e tyre profesionale dhe ligjore.