Përmirësim të motit do të ketë në javën që po hyjmë, ku në fillim do të ketë mot më të freskët e pastaj temperaturat do të shkojnë duke u ngritur deri në mbi 30 gradë Celsius, njofton Prishtina Weather.

Sipas tyre, e shtuna e 9 korrikut ishte dita më e ftohtë që nga viti 1979.

“Mot stabil gjatë javës në vijim, me diell dhe vranësira kalimtare. Fillimisht jo shumë ngrohtë, në pjesën e dytë më nxehtë, me temperatura mbi 30 gradë Celsius. Mot stabil parashihet të dominojë përgjatë javës së dytë të korrikut. Do të ketë intervale më të gjata me diell, e vranësira kalimtare. Të reshura nuk parashihen për momentin. Në aspektin termik fillimisht do të mbajë mot i ngrohtë, e gjatë pjesës së dytë sërish mot i nxehtë shtrihet mbi vendin tonë me temperatura mbi 30 gradë Celsius”, bënë të ditur Prishtina Weather.

Maksimalet e javës do të sillen nga 23-25 gradë Celsius kurse gjate ditës së premte ato priten të shkojnë deri në 31 gradë Celsius, kurse minimalet do të zbresin nga 10-11 gradë Celsius.

“Temperaturat minimale zbresin në 10C e 11C, ndërsa maksimalet luhaten ndërmjet 23 gradë Celsius e 25 gradë Celsius, e ditën e premte rriten edhe deri në 31C”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, me mot me vranësira dhe reshje shiu u karakterizua java që lam pas ku temperaturat zbritën deri në 17 gradë Celsius maksimalet, gjatë ditës së shtunë. Duke e bërë kështu ditën e shtunë ditën më të ftohtë të muajit korrik që nga viti 1979.

“Masa të ftohta ajrore që depërtuan ditën e djeshme mbi rajon, zbritën ndjeshëm temperatura nga vlerat mesatare për muajin më të nxehtë veror, korrikun. Temperatura maksimale, ditën e djeshme në Aeroportin e Prishtinës ishte vetëm 17 gradë Celsius, derisa në stacionin personal në lartësi mbidetare prej 680 metra, në Prishtinë, temperatura maksimale ishte 16.1 gradë Celsius, e shënuar rreth orës 15:00. Me këtë temperaturë zyrtare prej 17 gradë Celsius, po del që kjo ditë e 9 korrikut ishte më e ftohta e regjistruar në Prishtinë që nga viti 1979, kur edhe atë ditë, sipas vrojtimeve temperatura ishte 17 gradë Celsius. E ftohtë ishte edhe dita e 9 korrikut më 1998 me 17.6 gradë Celsius, regjistruar në Stacionin Meteorologjik në Prishtinë”, përfundon njoftimi.