Ndonëse qyteti i Prishtinës mbrëmë pati numrin më të madh të rasteve me coronavirus, sot një qytetar në adresë të Telegrafit ka dërguar fotografi nga ndërtesa e vjetër e komunës së Prishtinës ku shihen një numër i madh i qytetarëve për të marrë shërbime, po që nuk respektohen masat për parandalimin e përhapjes së sëmundjes.
Nga fotografia e dërguar në adresë të Telegrafit shihen qytetarët të cilët nuk respektojnë distancën.
Telegrafi ka kontaktuar zyrtar për media të komunës së Prishtinës lidhur me rastin, të cilët kërkuan dërgimin e pyetjeve me shkrim.
Telegrafi është në pritje të përgjigjes nga komuna e Prishtinës.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik mbrëmë ka raportuar për 79 raste të reja me coronavirus, ndërsa numri më i madh ishte në komunën e Prishtinës.
Rastet pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 40 raste, komuna e Vushtrrisë 10 raste, komuna e Fushë Kosovës 7 raste, komuna e Mitrovicës 4 raste, komuna e Podujevës 3 raste, komuna e Gjakovës 3 raste, komuna e Ferizajt 2 raste, komuna e Skenderajt 2 raste, komuna e Lipjanit 2 raste, dhe me nga 1 rast komunat: Gjilan, Istog, Malishevë, Mamushë, Pejë dhe Suharekë.







