Lehtësimi i masave ka bërë që në Prishtinë të ketë rritje enorme të rasteve pozitive me COVID-19.

Vetëm gjatë javëve të fundit, në kryeqytet, janë shënuar rreth 85 raste me koronavirus çka sipas drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, paraqet shqetësim, raporton KOHA.

Gashi tutje ka shtuar se si komunë janë në kontakt të vazhdueshëm me qytetarët, që kanë rezultuar pozitivë bashkë edhe me Policinë e Kosovës. Ai ka thënë se nëpër institucionet që janë nën menaxhim të Komunës nuk ka asnjë rast pozitiv.

Gashi u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bartin mjetet mbrojtëse edhe më tutje, ndërsa ka shtuar se asnjë qytetar nuk lejohet të futet në institucione pa pasur mjetet mbrojtëse.

Ndërkohë, pavarësisht rritjes së numrit të të prekurve me COVID-19, është thënë se nuk do të ketë shtim të masave të sigurisë, porse do të rritet numri i testimeve.