Që nga data 25 gusht punëtorët e sektorit publik janë në grevë, e më së shumti nga kjo po dëmtohen nxënësit.

Edhe pas takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit dhe kreut të SBASHK-ut Rrahman Jasharajt u bë e ditur se greva vazhdon deri në plotësimin e kërkesave.

Kundër kësaj greve janë edhe prindërit, të cilët thonë se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë, raporton Zeri.info.

Prindërit e nxënësve në shkollën “Pavarësia” në kryeqytet kanë njoftuar se nga e hëna do të dërgojnë fëmijët në shkollë, edhe nëse është nevoja që vetë si prindër t’i mësojnë ata.

“Shkolla ‘Pavarësia’ është e mbingarkuar dhe mësimi duhet të rifillojë sa më shpejt. E njoftojmë drejtorin e shkollës ‘Pavarësia’ se më datën 19 shtator të gjithë do t’i sjellim fëmijët në shkollë, askush nuk mund t’ua mohojë fëmijëve qëndrimin në banka shkollore sepse ne paguajmë taksa në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin e organizatorit Liridon Berisha.

Berisha ka hartuar një plan mësimor, si vijon:

Respektimi i orarit të cilin e ka caktuar shkolla,

Në klasë të qëndrojnë prindërit me rend nga e hëna deri të premten (koordinoheni në grupet tuaja)

Siguria në klasë, nëse mësuesja mungon, atëherë prindërit te zhvillojnë orët me libra sipas renditjes,

Detyrat e shtëpisë secila klasë mund t’i dërgojë në Viber, në grupet e klasës,

Lëndët: si fokus javor, të jenë gjuha dhe matematika, leximi etj…

“Në rast se organet drejtuese të shkollës pengojnë nxënësit dhe prindërit, do të organizojmë një protestë dhe do të kërkojmë intervenimin e organeve shtetërore të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit. /Zëri