Në komunat veriore të Kosovës nuk ka pasur furnizim me produkte serbe përmes rrugëve alternative, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke mohuar deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili kishte deklaruar se Beogradi ka furnizuar serbët në Kosovë me produkte elementare, të paktën për një muaj.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Ekrem Mustafa në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thekson se nuk ka asnjë indikacion se në pjesën veriore të Mitrovicës kanë hyrë produkte nga shteti i Serbisë. Dyqanet në pjesën veriore të Kosovës, sipas ministrit Mustafa, janë duke u furnizuar me mallra nga pjesa jugore e Mitrovicës. Ai thotë se në dhjetë ditët e fundit, Kosova e ka forcuar kontrollin në rrugët alternative.

“Të gjitha pikat e gjelbra kontrollohen nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in. Në dhjetë ditët e fundit në rrugët alternative janë përqendruar më shumë kontrollime. Do të thotë, (deklarata e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq,) është një presion i tyre që dëshirojnë ta bëjnë. Edhe në samitin e Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Poloni, ata kanë pohuar se do të shfrytëzojnë rrugët alternative në mënyrë që të denigrojnë vendimin e Qeverisë se Kosovës”, thotë Mustafa.

Ndryshe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha të hënën se ai e bëri “një pjesë të mirë të punës”, në furnizimin e serbëve në Kosovë për nevojat themelore, të paktën për muajin e ardhshëm.

“Ia arritëm të sigurojmë një pjesë të mirë, por si e bëmë këtë, nuk do të flas”, ka thënë Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë.

Për dallim nga fillimi i javës së kaluar, kur dyqanet në veri të Kosovës ishin mbyllur dhe pretendonin se nuk kanë produkte elementare, aktualisht atje ka furnizime me produkte, përfshi edhe ato nga Serbia.

Por, zyrtarë të Doganës se Kosovës, pohojnë se ditëve të fundit nuk ka pasur import të theksuar të produkteve serbe, as në mënyrë ligjore dhe as tentim për kontrabandë.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se gjendja në terren është ndryshe nga deklaratat politike.

“Import të mallrave serbe here pas here, por në minimum. Normalisht, se edhe lejime të udhëtareve ka, udhëtaret sjellin ato që mund të bartin, por import ligjor në sasi të mëdha nuk ka”.

“Gjithashtu sa i përket kontrabandimit, Dogana përmes njësive të saj, është duke bërë përcjelljen e lëvizjes se mallrave në atë pjesë dhe nuk është vërejtur ndonjë rritje të sasisë”, tha Stavileci.

Ditë më parë, afaristët në veri të Kosovës, i mbyllën për një periudhë dyditore të gjitha dyqanet, duke thënë se nuk kanë furnizime me mallra nga Serbia për shkak të taksës 100 për qind të cilën Qeveria e Kosovës e ka imponuar për të gjitha importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Ky veprim ishte bërë shtatë muaj pasi Qeveria e Kosovës vendosi këtë taksë.

Por, Qeveria e Kosovës, e kishte quajtur mbylljen e dyqaneve në veri si krizë të improvizuar nga autoritet e Serbisë. Megjithatë, Qeveria e Kosovës, kishte dërguar disa kamionë me produkte elementare, për t’u përdorë si pika shitëse për qytetarët e komunave veriore të banuara me shumicë serbe. Por, qytetarët e kësaj pjesë nuk janë furnizuar me to.

Një përfaqësues i bizneseve në pjesën veriore të Kosovës, ndërkaq thotë se mungesa e produkteve të ushqimit vërehet ende në të gjitha dyqanet. Sipas tij, ka disa produkte por jo në sasi të kënaqshme.

Radosh Petroviq, përfaqësues i Shoqatës së Biznesmenëve nga veriu i Kosovës, për Radion Evropa e Lirë, thotë se mallrat vijnë edhe nga jugu edhe nga të gjitha anët.

“Disa produkte kanë mbërritur, por nuk janë mjaftueshëm. Vërehet edhe mungesa e banorëve, njerëzit kanë shkuar nëpër pushime kështu që edhe kërkesat janë më të vogla, por nga muaji shtator kur njerëzit të kthehen nga pushimet, do të vërehet sigurisht, nëse nuk ndërmerret diçka apo nëse nuk ndërrohet diçka”, tha Petroviq.

Taksa doganore e vendosur nga autoritetet e Prishtinës, përveç efekteve ekonomike, ka prodhuar edhe efekte politike. Që nga vendosja e saj, Beogradi ka refuzuar të ulet në tavolinën e bisedimeve me Prishtinën në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Me gjithë insistimet nga Serbia që taksa të shfuqizohet, autoritetet e Prishtinës kanë përsëritur vazhdimisht se taksa do të mbetet në fuqi, përderisa Serbia të mos e ndryshojë qëndrimin ndaj Kosovës së pavarur.

Thirrje për shfuqizimin apo pezullimin e taksës, kanë bërë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.