Gjykata Themelore në Prishtinës, dega në Drenas, i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, të akuzuarit për rrezikim të trafikut publik, Bajram Selimi.
Por, me pëlqimin e të pandehurit, dënimi me burg i është konvertuar në dënim me gjobë, në lartësi prej 600 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi i rastit, Shefqet Baleci, tha se i akuzuari Selimi, po ashtu ngarkohet me paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro, taksën për kompensimin e viktimave të krimit, në shumë prej 30 euro, si dhe shpenzimet e procedurës, në shumë prej 60.88 euro.
Aktgjykimi ndaj tij është shpallur, pasi që gjatë seancës fillestare të së enjtes, i akuzuari e ka pranuar fajësinë, duke u shprehur se këtë e ka bërë pa qëllim dhe nga pakujdesia.
Pranimin e fajësisë nuk e ka kundërshtuar prokuroja Ilirjana Qollaku-Tafa, duke propozuar që ky akt të merret si rrethanë lehtësuese.
Ndryshe, në fillim të seancës prokurorja Qollaku-Tafa, bëri precizimin juridik të veprës penale, pas dispozitivit shtoi paragrafin “Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “Rrezikim i Trafikut Publik” nga neni 378, parag.8 lidhur me parag.6 dhe parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 16 maj 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Bajram Selimit, të cilin e ngarkon se më 16 mars 2019, rreth orës 11:20, në fshatin Fushticë e Ulët, Komuna e Drenasit, derisa ishte duke e drejtuar automjetin e tipit “VW Taureg”, ka shkelur Ligjin nr.05/L-088, mbi Rregullat e Trafikut Rrugor, duke vënë në rrezik jetën e njerëzve.
Sipas aktakuzës, i pandehuri ka vepruar në atë mënyrë që nga pakujdesia, duke vepruar në kundërshtim me nenin 41 dhe 43 të këtij ligji, gjatë hyrjes nga parkingu në rrugë, në lëvizje mbrapa nuk i ka dhënë përparësi kalimi këmbësorit dhe me pjesën e pasme e ka goditur atë dëmtuarin e mitur.
Në aktakuzë thuhet se me rastin e goditjes, i dëmtuari është rrëzuar dhe ka hyrë nën automjet, ku si pasojë i dëmtuari E.B, ka pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këtë, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378, parag.8 lidhur me parag.6 dhe parag.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.






