Debat i gjatë me akuza të shumta është zhvilluar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal për propozim-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për orarin e punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Podujevës, shkruan Llapi.info.

Këtë propozim për ndryshimin e kësaj rregulloreje e ka paraqitur në asamble komunale, drejtori për Planifikim dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj. Me këtë ndryshim nuk janë ndarë të kënaqur këshilltarët opozitarë, derisa partia që udhëheq me Komunën, Lëvizja Vetëvendosje, s’i ka pasur votat e mjaftueshme për t’u miratuar. Drejtori Balaj ka thënë se orari i rregullt për sezonin e verës është zhvendosur nga ora 22:00 në orën 23:00.  

Balaj ka deklaruar se pika më e ndjeshme, sipas tij, është ajo në nenin 6, e cila  lidhet me punën e dyqaneve, marketeve dhe qendrave tregtare.

“Ndryshimet që janë bërë në harmoni me kërkesat e bizneseve, të punëtorëve dhe të qytetarëve, të cilët që prej kur e kemi marrë detyrën kanë kërkuar që të gjendet një zgjidhje edhe të hapet e diela. Përpjekja jonë ka qenë të gjejmë një zgjidhje ndërmjet këtyre kërkesave. Kemi propozuar që ditën e diel të punohet gjatë tërë ditës për dyqanet që furnizojnë me produkte ushqimore në hapësirë deri në 50 metra katrorë”, ka thënë Balaj.

Më tej, Balaj duke shtuar se për sezonin e verës është rritur orari për një orë, ka shtuar se në këtë rregullore, siç ka thënë ai, është reduktuar numri i festave zyrtare.

“Nëse miratohet rregullorja e re festa zyrtare do të konsiderohen Viti i ri, Pavarësia, Bajrami i madh dhe Bajrami i vogël. Në rregullore është inkorporuar edhe veterinaria dhe shërbimet e tyre, kozmetika dhe dekoret të cilat janë të lidhura me sallonet e ondulimit, e të cilat punën më të madhe e kanë gjatë verës”, është shprehur Balaj.

Në anën tjetër, këtë propozim që të ndryshohet kjo rregullore s’e kanë përkrahur partitë opozitare në Podujevë, LDK dhe PDK.

Hasan Ajeti, këshilltar nga radhët e LDK-së, ka thënë se me këto ndryshime, sipas tij, është çrregulluar edhe më shumë çështja e orarit të punës.

“Unë kam 60 nënshkrime të bizneseve që janë kundër dhe është mirë që ju si pushtet me gjet së pari një vijë me ato biznese, e jo tash ne si grupe parlamentare të ndahemi se kush është për e kush kundër. Është mirë të dëgjohet edhe pala tjetër (bizneset). Përndryshe ju keni bërë vetëm ndryshime”, ka thënë Ajeti.

Ndërsa, Lirika Maliqi nga VV-ja ka kërkuar që këtij plotësim-ndryshimi t’i shtohet edhe pika që bizneseve të vogla t’u mundësohet që sipas metrazhit të kujdestarojnë edhe gjatë natës.

Rafet Llapashtica nga PDK-ja ka thënë se qëndrimi i kryetarit, Shpejtim Bulliqi, ka qenë që bizneset të punojnë edhe të dielave.

“Unë i kam 105 nënshkrime nga përfaqësuesit e bizneseve që janë kundër. Kërkesa e tyre është që mundësisht dita e diel me qenë pushim edhe të punojnë deri në orën 23. Është dashtë të lihet në funksion Ligji i punës. Ne si PDK jemi që të lihet në funksion Ligji”, është shprehur Llapashtica.

Këshilltarët komunalë kanë kërkuar sqarim pse nuk janë marrë parasysh kërkesa e dy përfaqësuesve të floktarëve, ku njëri kishte kërkuar të punohet edhe të dielave, e tjetri që të punojnë të shtunave deri në orën 22:30.

Në një replikë, drejtori Balaj ka thënë se në takim me floktarët ka qenë kërkesa e të gjithëve që të pushojnë të dielave. Sipas tij, shumica e bizneseve kanë hapësirë nën 50 metra katrorë dhe se me këtë kanë dashur t’u ndihmojnë bizneseve të vogla dhe atyre nëpër fshatra. Balaj ka thënë se kjo është praktikë edhe në Gjermani.

Pas diskutimeve, edhe pse u kërkua që kjo pikë e rendit të shtyhej, kryesuesi i Kuvendit, Fatmir Gashi, e hodhi në votim plotësim-ndryshimin e rregullores, me ç’rast, e njëjta, nuk i ka marrë votat e nevojshme për miratim.

Duhet theksuar se për këtë çështje është diskutuar edhe në një seancë tjetër të Kuvendit, pikë kjo që s’është miratuar as asokohe./Llapi.info