Lokale - eSIMy

Për vetëm dy ditë, në Komunën e Podujevës pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar mbi 70 qytetarë, raporton Llapi.info.

Me rritjen e lakores së të infektuarve me COVID-19, është rritur edhe numri i rasteve aktive në këtë Komunë. Aktualisht janë mbi 200 raste aktive. Kështu është thënë sot në mbledhjen e Shtabit Emergjent Komunal.

“Aktualisht janë gjithsej 211 raste aktive, kurse që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 3,007 raste me virus, prej tyre 46 persona nuk i kanë mbijetuar këtij virusi”, është shprehur epidemiologia e QKMF-së, Bedrie Rama.

Epidemiologia Rama tha se ditëve të fundit ka rritje të rasteve që kërkojnë ndihmë në Qendrën për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në QKMF, kurse tek personat e infektuar vërehen simptoma më agresiv.

Gjatë takimit u tha se në përgjithësi nuk janë duke u respektuar masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe si pasojë e kësaj ka rritje të numrit të infektuarve.

Ndërkaq, Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Ajet Potera, tha se masat anti-Covid nuk po respektohen nga pronarët e  restoranteve, transportuesit publikë dhe marketet.

Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu kërkoi angazhim të të gjitha organeve kompetente, veçmas policia dhe inspektorati të jenë më aktivë në teren, në mënyrë që të zbatohen rekomandimet dhe respektohen masat mbrojtëse.

Në këtë aspekt u rekomandua që të organizohet një takim me pronarët e objekteve të gastronomisë-hotelerisë, transportuesve publikë dhe biznese të tjera dhe të paralajmërohen për masat më rigoroze që do të ndërmerren për ata që nuk respektojnë masat mbrojtëse./Llapi.info