Ushtria e Polonisë ka pranuar se ka pushtuar aksidentalisht Çekinë muajin e kaluar. Por ajo insiston se okupimi i shkurtër i një pjese të vogël të vendit ishte thjeshtë një “keqkuptim”.
Ushtarët e Polonisë gabimit kanë kaluar kufirin me Çekinë në fund të majit, para se të vendoseshin atje. Kështu i ka thënë CNN-së ministria e jashtme polake.
Ushtarët që po ruanin pjesë të kufirit të mbyllur të Polonisë me Çekinë gjatë pandemisë së koronavirusit, madje kanë larguar qytetarët çekë që po përpiqeshin të vizitonin një kishë në vendin e tyre.
Rrëmuja bëri që ambasada çeke në Varshavë të veprojë menjëherë. Sipas qeverisë çeke, Polonia ende nuk e ka sqaruar zyrtarisht aneksimin e përkohshëm të territorit të vendit fqinj.
“Kolegët tanë polakë na siguruan jozyrtarisht se ky incident ishte thjesht një keqkuptim i shkaktuar nga ushtria polake, pa qëllim armiqësor. Ne megjithatë ende po presim një deklaratë zyrtare”, ka thënë një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Çekisë për CNN. “Ushtarët polakë më nuk janë prezent dhe qytetarët tanë mund sërish të lëvizin lirshëm”.
Kur është pyetur se sa gjatë kanë qëndruar trupat e Polonisë në Çeki, zëdhënësi ka thënë se ende po presin për një komunikatë zyrtare të Polonisë.
Në anën polake kanë insistuar se bëhet fjalë për një keqkuptim e jo akt të qëllimshëm. Gabimi, sipas autoriteteve polake, është korrigjuar menjëherë dhe çështja është zgjidhur.
Incidenti ndodhi në afërsi të Pielgrzymoëit, një fshati të vogël kufitar në Poloninë Jugore. Një rrugë e qetë atje shërben si pikë kufitare midis dy vendeve.
“Ushtarët e Polonisë mbështetën Gardën Kufitare në mbrojtjen e kufirit shtetëror pas mbylljes së tij për shkak të pandemisë. Operacioni udhëhiqej nga Komanda Operative e Forcave të Armatosura, që ishte në kontakt të drejtpërdrejtë me Gardën Kufitare”, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes e Polonisë.
Nuk është saktësuar sa gjatë ushtarët polakë kanë qëndruar në Çeki.
Kufijtë në mes të vendeve të BE-së zakonisht vërehen pak pasi qytetarët gëzojnë lirinë e lëvizjes nëpër bllok. Por situata me koronavirus ka komplikuar gjendjen. Polonia për kohë të gjatë i kishte kufijtë e mbyllur.
Polonia ka qenë e përfshirë në shumë konflikte kufitare me ish-Çekosllovakinë gjatë shekullit të kaluar.