Politikani serb nga radhët e republikanëve Nikola Sanduloviq ka thënë se bandat e drejtuara nga presidenti Aleksandar Vuçiq po trembin, rrahin dhe vrasin serbët në Kosovë e jo shqiptarët, ashtu siç thuhet në mediet që drejtohen nga ai.

Sanduloviq me anë të një shkrimi në Facebook ka treguar një mesazh që i është dërguar lidhur me kërcënimet që u bëhet serbëve lokal për mospjesëmarrjen e tyre në barrikada, të vendosura para dy jave.

“Batakçinjtë e Vuçiqit kanë hyrë në disa shtëpi duke i rrahur të gjithë, që nga fëmijët e deri te të moshuarit. Arsyeja është se ata nuk kanë marrë pjesë në barrikada dhe ndoshta janë anëtarë të partisë, sepse ata që nuk janë në parti thuajse nuk mund ta fitojnë dot bukën e gojës”, thuhet në mesazhin e dërguar atij.

Ish-kandidati për president të Serbisë thekson se kjo është fotografia reale e gjendjes së serbëve në Kosovë.

“Kushdo që nuk e kupton këtë mesazh që kam marrë, është pjesëmarrës në krimin që po ndodh në Kosovë, ndaj serbëve nga vetë serbët! Çdo ditë më vijnë dhjetëra mesazhe të tilla e të ngjashme që dëshmojnë se kriminelët e Aleksandar Vuçiqit janë ata që trembin, rrahin dhe vrasin serbët në Kosovë dhe jo shqiptarët siç propagandohet nga mediet e poshtra të tij. Kjo është e vërteta brutale dhe fotografia reale e gjendjes së serbëve në Kosovë”, shkruan ai.

Po ashtu, Sanduloviq me anë të një video nga lufta e fundit në Kosovë, tregon se si kriminelët nga Serbia të veshur me uniforma ushtarake dhe policore kanë djegur, vrarë, dhunuar dhe grabitur popullin shqiptar.

“Shikoni çfarë kanë bërë kriminelët nga Serbia, të veshur me uniforma policore, ndaj të njëjtit popull shqiptar, gjatë krimeve të tyre në Kosovë! Djegie, vrasje, dhunime dhe grabitje! Për çfarë kërcënimi ndaj popullit serb e keni fjalën tani, kriminal dhe vrasës i Aleksandar Vuçiqit?”, thekson Sanduloviq.

“Në kohën tuaj kur keni qenë ministër i Dezinformatave, krimet dhe grabitjet e tilla janë fshehur nga sytë e opinionit në Serbi”, përfundon ai.

Kujtojmë se janë bërë 16 ditë që kur grupe të serbëve të drejtuar nga Beogradi kanë vendosur barrikada në disa rrugë në veri të Kosovës.

Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë – këto dy pika vazhdojnë të jenë të mbyllura për qarkullim që nga 10 dhjetori. /Telegrafi/