Policia e Kosovës, ka nisur zbatimin e vendimit të Qeverisë për ndalim-qarkullim e qytetarëve dhe automjeteve nga ora 10:00 deri në orën 16:00 dhe nga ora 20:00 deri në orën 06:00.
Ata u panë sot nëpër të gjitha rrugët e Prishtinës, duke shpërndarë vendimin dhe kësisoj duke shpërfillur presidentin Hashim Thaçi, shkruan Gazeta Insajderi.
Të gjithë qytetarët që kishin dalë në qytet pas orës 10:00, ndaloheshin nga policia, të cilët i njoftonin ata me vendimin e fundit të Qeverisë, dhe po ashtu u rekomandonin atyre që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre nëse nuk kanë ndonjë urgjencë.
Mbrëmë kryeministri Albin Kurti, shpalosi vendimin i cili parasheh masa të reja për qytetarët kundër COVID-19.
Por ky vendim nuk u mirëprit nga presidenti Thaçi.
Pas konferencës së Kurti, e menjëhershme ishte konferenca e presidentit Hashim Thaçi i cili kundërshtoi këtë vendim pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme.
Ai tha se ky vendim është i rrezikshëm dhe shkel Kushtetutën e Kosovës.
“Kurti dhe qeveria e tij kanë shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën e Kosovës. Është e papërgjegjshme institucionalisht dhe kushtetutën e Kosovës. Vendimi për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve paraqet shmangie të garantimit të lirisë së lëvizjes. Kufizimi i lëvizjes mund të bëhet vetëm pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme një vendim i tillë nuk ekziston”, tha Thaçi.








