Mbi 1.420 persona në Kosovë janë në vetizolim. Kjo sipas një liste që posedon Policia e që e kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga ky institucion tregojnë se kjo listë është dinamike e për çdo ndryshim njoftohen nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, raporton KOHA.
Sa i përket monitorimit të të vetizoluarve, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se ata kontaktohen disa herë në ditë nga IKSHPK-ja.
Pavarësisht kësaj, PK-ja ditë më parë ka arrestuar edhe një person që ishte pjesë e kësaj liste, por edhe kishte lejeqarkullimi nga Administrata Tatimore e Kosovës, pas orës 17:00.
Lidhur me lejet e qarkullimit pas orës kur ajo është e ndaluar, drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, ka thënë që ata vetëm e menaxhojnë sistemin online për formularët për leje.
Me vendim të Qeverisë nuk lejohet lëvizja pas orës 17:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit, përpos atyre që kanë urgjenca mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale.
Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike përmes një përgjigjeje me shkrim ka thënë se askush nuk lejohet të lëvizë gjatë kësaj kohe. Mirëpo, shtoi që është duke u shqyrtuar mundësia për lejimin e veprimtarisë së librarive për shkak të nevojës për furnizim me letër.
“Të gjithë operatorët ekonomikë urdhërohen të zbatojnë vendimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës ndaj pandemisë COVID – 19 dhe emergjencës së ndërlidhur të shëndetit publik. Lista e veprimtarive të lejuara dhe atyre të ndaluara është në uebfaqen e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, ku është e qasshme për të gjithë. Së fundi, është duke u shqyrtuar mundësia për lejimin e veprimtarisë së librarive, për shkak të nevojës për furnizim me letër”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike.
Për të gjithë ata që nuk e respektojnë orarin e lëvizjes gjobat pritet të jenë deri në 2.000 euro, për persona fizikë e për ata juridikë deri në 8.000 euro, sipas Ligjit për sëmundjet ngjitëse.