Lokale - eSIMy

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se është arrestuar A.I. i dyshuar për vrasjen e dy vëllezërve që ndodhi të enjten në fshatin Golluboc të Malishevës.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, thuhet se në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.

Në njoftimin e Policisë thuhet se i dyshuari është arrestuar në fshatin Pllaqicë dhe ka pasur plagë që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

“Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Drejtori i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka thënë se dyshohet që i arrestuari është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.

“Dyshohet që është plagosur gjatë përleshjes me viktimat. Të dyja palët kanë përdor armët, dyshohet që është plagosur nga njëri prej viktimave”, ka thënë Graishta.

I dyshuari është dërguar për trajtim në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka deklaruar ai është i plagosur me armë dhe gjendja e tij është stabile.

Discover more

browser

Web browser

 

Ai ka deklaruar se të dyshuarit janë duke iu bërë ekzaminimet dhe me pas trajtimin mjekësor do ta vazhdojë në Klinikën Abdominale.

“Gjendja është stabile, është i plagosur me armë zjarri, janë duke u kryer ende ekzaminimet pas trajtimit tretmani vazhdon në Kirurgji Abdominale”, ka theksuar Syla.