Lokale - eSIMy

Kohët e fundit, Policia e Podujevës ka realizuar aksione të shumta kundër shkelësve të rregullave të trafikut, shkruan Llapi.info.

Madje, shoferë të shumtë edhe janë gjobitur për parkim të automjeteve në hapësira publike të kësaj komune. Jemi dëshmitarë se këto aksione janë përqendruar në rrugët kryesore të qytetit, përkatësisht në rrugën “Zahir Pajaziti”.

Kështu ka thënë edhe komandanti i stacionit të Policisë në Podujevë, Bekim Zogiani. Mirëpo, ai në mbledhjen e mbajtur sot të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës s’ka treguar për numrin e tyre.

“Lidhur me sigurinë në komunikacion, komandanti i Stacionit Policor në Podujevë, kapiteni Bekim Zogiani, tha se policia po ndërmerr masa ndaj kundërvajtësve në komunikacion. Në këtë aspekt ai tha se është shtuar numri i gjobave, veçmas për parkimin e automjeteve në hapësira publike”, citohet në kumtesën komunale të ketë thënë Zogiani.

Ndryshe, vetëm gjatë vitit 2018, Policia në Komunën e Podujevës pati konfiskuar 1 mijë e 223 vetura, kryesisht të parkuara nëpër hapësira publike të kësaj komune.

Në anën tjetër, Policia ka pasur fushata të ndryshme lidhur me vetëdijesimin e drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve rreth respektimit të rregullave në komunikacion./Llapi.info