Lokale - eSIMy

Është arrestuar i dyshuari që të dielën e kaluar sulmoi mjekun në Qendrën Emergjente të Podujevës, raporton Llapi.info.

Kështu ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin e saj ditor, derisa është bërë e ditur se i njëjti është dërguar në mbajtje.

“Podujevë 20.03.2022 – 12:00. Me 24.03.2022 lidhur me rastin është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën e lartcekur. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e PK-së.

Sulmi ndaj mjekut A.B., ndodhi të dielën rreth orës 12:00, kur një person i kishte kërkuar këtij të fundit t’ia kontrollonte një familjar, por që mjeku kishte qenë i zënë me pacientët tjerë. Më pastaj, personi në fjalë kishte sulmuar fizikisht punëtorin shëndetësor, duke i shkaktuar edhe lëndime trupore.

Sulmin ndaj doktorit e kanë dënuar ashpër kolegët e tij, derisa reagim për këtë kishte bërë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

Në anën tjetër, Llapi.info ka pranuar disa ankesa se nëpër institucione shëndetësore në Podujevë, pacientët janë duke pritur me orë të tëra. Për këtë, pacientët janë ankuar dhe në punëtorët e rinj shëndetësorë, të cilët, sipas tyre, s’e kanë seriozitetin e duhur në vendin e punës./Llapi.info