Është rritur dukshëm numri i rasteve të reja me COVID-19 në Komunën e Podujevës. Vetëm sot në këtë Komunë pozitivë kanë rezultuar 41 qytetarë, raporton Llapi.info.
Si pasojë e rritjes së lakores, nga sot Komuna e Podujevës është futur në zonën e kuqe sa i përket rrezikshmërisë së përhapjes së virusit korona.
Me rritjen e rasteve ditore, Policia në Llap ka gjobitur të gjithë ata që s’i kanë përfillur masat anti-covid.
Vetëm gjatë javës së kaluar janë gjobitur 174 qytetarë për mosrespektim të masave qoftë nga bizneset, por edhe nga ata që s’i bartnin maskat.
Kështu ka thënë sot në mbledhjen e Shtabit Emergjent, shefja e sektorit të operativës nga Stacioni i Policisë, Valbona Blakçori.
Ndërkaq, epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Bedrie Rama, ka thënë se përkundër rritjes së rasteve, situata, sipas saj, është nën menaxhim.
Ajo tha që deri tani në Komunën e Podujevës janë infektuar 3399 persona, ku 3104 janë shëruar, 248 persona janë aktivë me virus, si dhe 47 persona kanë përfunduar me fatalitet./Llapi.info