Nuk janë të rralla rastet kur Policia e Kosovës has në persona që mbajnë armë pa leje, dukuri kjo që po cenon sigurinë e qytetarëve të vendit, shkruan Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnatës, në afërsi të pompës së derivateve ‘Shell’ në Veternik, ku nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme, Policia ka ndaluar një veturë të tipit Audi 8.
Pas kontrollit të veturës, në çantën e shoferit është gjetur një revole me një karikator dhe 4 fishekë.
Për shkak të posedimit të armës, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, për t’u intervistuar, ndërkohë që arma është konfiskuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.






