Ka ndërruar jetë në QKUK, 18-vjeçari që u rrah brutalisht në Podujevë ditë më parë, shkruan Llapi.info.
Rastin për Llapi.info e ka konfirmuar edhe Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Sot nga zyrtarët e QKUK-së në Prishtinë, policia ka pranuar konfirmimin se L.F, mashkull, 18 vjeç, i cili ishte duke u trajtuar në njësinë e mjekimit intesiv ka ndërruar jetë. Në hetimin penal, që njësia e hetimeve të përgjithshme e rajonit të Prishtinës po kryente në drejtim të veprës penale “Vrasja në tetntativë” përkitazi me rastin e ndodhur më 14.01.2024, në rrugën “Drenica” në Podujevë, i njëjti ka qenë viktimë. Ndërlidhur me ngjarjen po në të njëjtën ditë policia ka arrestuar dy persona të dyshuar të cilët janë dërguar në mbajtje si vijimësi e procesit hetimor”, ka thënë ai.
Sipas tij, rasti tani është ricilësuar si “vrasje e rëndë”.
“Trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërkohë që në përputhje me rrethanat e reja, policia me autorizimin e prokurorit të shtetit, ka ricilësuar veprën penale që po hetohej deri tani dhe ka orientuar hetimin në drejtim të veprës penale “Vrasje e Rëndë””, ka thënë tutje ai.
Llapi.info mëson se dy të dyshuarit që e që e rrahën brutalisht 18 vjeçarin janë të miturit: E.K., 16 vjeç dhe A.A., 17 vjeç./Llapi.info






