Fenomeni i krimit të grabitjeve që jo rrallë herë përfundoi edhe me viktima ishte bërë shumë i shpeshtë krejt pak vite më parë në Kosovë.
InDoks kishte hulumtuar këtë fenomen dhe kishte transmetuar dokumentarin “Biznesi i grabitjeve”. Në këtë krim, që dukej shpesh si biznes për disa grupe kriminale, ishin përfshirë njerëz me eksperiencë në këso lloj krimesh që u kthyen nga Evropa në Kosovë. Në një rast madje nga grabitësit u vra edhe një polic. Në një rast tjetër madje një polic u akuzua se vrau një punëtor të një biznesi kumari.
Sipas të dhënave që Polica e Kosovës ka ofruar për InDoks, në periudhën kohore Janar- Dhjetor 2019 janë raportuar gjithsej 4519 raste të veprës penale “Vjedhje” ose mbi 22 % më pak raste, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore nga viti 2018 dhe 3803 raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” ose mbi 20 % më pak raste, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore nga viti paraprak.
Po ashtu, sipas shënimeve të këtij institucioni, për periudhën kohore Janar – Qershor 2020 janë raportuar gjithsej 1792 raste të veprës penale “Vjedhje” ose mbi 21 % më pak raste, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019 dhe 1730 raste të veprës penale “Vjedhje e rëndë” ose mbi 16 % më pak raste, krahasuar me periudhën e njëjtë kohore nga viti paraprak/InsajderiInDoks






