Policia e Kosovës ka sekuestruar tri armë, dy prej të cilave janë përdorur për gjuajtje me armë në Mramor dhe për tentim vrasje në Podujevë, njofton Llapi.info.
“Policia e Rajonit të Prishtinës, respektivisht hetuesit e stacioneve policore, Veriu dhe Podujeva, dje kanë sekuestruar tri armë zjarri, dy nga të cilat personat e dyshuar i kanë përdorë në dy raste (Mramor -gjuajtje me armë dhe Podujevë -tentim vrasje)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, operacionet policore janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin e shtetit ku pas identifikimit të lokacioneve dhe personave të dyshuar, kanë shoqëruar në polici personat e dyshuar dhe kanë sekuestruar tri armë zjarri.
Pas përfundimit të të gjitha procedurave të nevojshme policore ndaj personave të dyshuar janë iniciuar raste për posedim dhe përdorim të armës.
Policia s’e ka bërë të ditur numrin e personave të arrestuar.
Ndryshe, pak ditë më parë, një person i moshës së mitur ka mbetur i plagosur si pasojë e disa të shtënave me armë./Llapi.info